Lidhja e Shkëlzen Berishës, Bumçit dhe Gërdecit
Lidhjet e djalit të Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, dhe Gërdecit, e kanë zanafillën që në gjenezën e projektit që do të shndërrohej muaj më vonë në një tragjedi me 26 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur. Shkëlzen Berisha është interesuar për projektin që në momentin kur po përgatitej kuadri ligjor i çështjes.
Në atë kohë, ministër i Drejtësisë ishte Aldo Bumçi. Por, edhe pse faktet implikojnë qartë djalin e Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, në skandalin e Gërdecit, ata jo vetëm që nuk janë marrë të pandehur, por as janë marrë në pyetje për të shpjeguar çështjen.
Ministria e Mbrojtjes kishte përgatitur kuadrin ligjor, por duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë. Të gjitha materialet kaluan tek ministri Bumçi dhe stafi i tij, i cili pasi i pa, vendosi miratimin. Por, në këtë pikë, Bumçi tradhtohet nga një faks. Ai i dërgon një prej materialeve Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi të shkruan me dorën e tij: “Për Shkëlzen Berishën”.
Vetë Bumçi e ka mohuar këtë fakt kohë më pas, por faksi ndodhet në materialet e dosjes që tashmë prokuroria ka depozituar në gjykatë. Për të provuar se kush e ka vendosur shënimin mbi faks janë marrë në pyetje sekretaret e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes. Pikërisht sekretarja që ka dërguar faksin ka njohur edhe shkrimin e shefit të saj, Aldo Bumçi.
Sekretarja quhet Anjola Agolli dhe, teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. “Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi “për trajtim” është i ministrit Bumçi.
Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: “Për z. Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes”,- thotë në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.
“Ministri më udhëzoi që t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha”.
Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin”,- thotë në dëshminë e saj Anjola Agolli.
Ajo ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani.
Lidhja Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi nuk ka ekzistuar vetëm në letra, por edhe në takime konkrete. Sekretarja e ministrit Bumçi ka dëshmuar për disa takime të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Drejtësisë.
“Unë njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Rasti i parë ka qenë me fillimin e punës si ministër të zotit Aldo Bumçi.
Unë e kam parë kur po dilte nga zyra ku ishte futur gjatë kohës që në turn ishte sekretarja tjetër, Rovena.
Rastin e dytë nuk e kujtoj saktë si muaj, por mbaj mend se më kanë njoftuar nga sporteli e më kanë thënë se zoti Shkëlzen Berisha do të takojë ministrin”,- ka pohuar sekretarja.
