Sa racist mbanë Greqia?

Posted by arj@N | Artikuj | e Martë 4 Gusht 2009 2:32 am

Fjalorë i vogël i termeve të përditshëm.

Pasiguri – ndjenjë mosbesimi ndaj bashkëqytetarëve të tu që rrjedh nga fakti se tjetërsimi dhe izolimi mes nesh ka arritur në një shkallë të tillë sa mësojmë për fqinjin tonë jo nga sheshi ku ulet, por nga lajmet dhe emisionet e drekës. Gazetarët në një rolë predikuesi mbjellin frikën, urrejtjen dhe dyshimin.

Kriminalitet – Të shkelësh ligjet që synojnë shfarosjen tënde morale, ekonomike dhe fizike, ligje të cilat bazohen në kritere raciste dhe ushtrohen nga ithtar të ligjit dhe të rendit, të cilët filluan karrierën e tyre në kohën e juntës. Torturat, poshtërimet, vrasjet në kufij, në kampet e izolimit të të huajve nga maniakë me uniformë, jo vetëm nuk ndëshkohen por zakonisht shpërblehen profesionalisht dhe nga moralisht..

Drejtësi – Të dënohesh mesatarisht me dyfishin e viteve sesa një vendas për të njëjtën akuzë, sidomos po ishe shqiptarë. Të presësh nga 6 muaj deri në 3 vite që të gjykohesh (70% e të huajve nëpër burgje ose presin të gjykohen ose gjenden brenda për hyrje të paligjshme në Greqi) dhe nëse pafajshmëria jote vërtetohet të mos dëmshpërblehesh por të falënderosh fatin që të lanë të lirë. Të ekstradohesh (një ndryshim i ri i ligjit që u dorëzua në parlament) nëse akuzohesh për ndonjë akt penal, ke s’ke dokumenta, pa kaluar në gjyq për të mbrojtur veten tënde. Ashiqaria u bë dhe ligj: qepe, puno e merr ndonjë kothere bukë.

Operacione fshesë – operacione të policisë për pastrimin e zonave nga elemente të padëshiruar (një ditë do vijë dhe radha jote), shumë të përhapura në regjime naziste dhe ne aparteid. Ata që mbështesin “pastrimin” e njerëzve me fshesa ndoshta gjykojnë nga pisllëku i shtëpisë së tyre.

Komisionet e lagjeve - organizata vendore të LAOS, të përforcuara nga fashista të Hrisi Avgji (agimi i artë), të cilët duke qenë besnik ndaj traditës familjare, janë rrufjanë, huliganë (vetëm kur shoqërohen nga organi përkatës) dhe lake të pushtetit ne fuqi.

Shën Pandeleimon – zonë e pushtuar nga militante fashistë dhe forca të policisë së Athinës, ku ndalohet kalimi i të huajve dhe çdo ezmeri ortodoks që zakonisht ka mbiemër turk ose arvanitas. Është e qartë se Athina e 3,5 milionë banorëve nuk mban disa mijra të tjerë, vetëm në rast se vijnë si turistë, dhe atëherë si servil të vërtetë përulemi deri në tokë.

Qendra pritjeje emigrantësh – kampe përqendrimi ku burgosen ose asgjësohen të huaj (p.sh. Petru Rali, Eliniko), pasi kanë shpëtuar nga zjarri (Patra), nga linçimi (Manoladha), në mënyrë që të gëzohen qytetarët paqedasësh dhe të tjerët të mos e prishin terezinë, sepse është mëse e qartë se për të tëra e ka fajin shteti dhe kapitalizmi.

Emigrantë klandestinë – a) Njerëz nga zonat më të varfra të planetit të cilët paguajnë çmimin e begatisë të botës perëndimore (B.E., SH.B.A.) Çfarë rrjedhojash mendon se ka mbrojtja nga importet dhe subvencionet që merr për punëtorët dhe zanatlinjtë në shtetet jashtë B.E.-së? b) Refugjatë nga zona në gjendje lufte të planetit të cilëve je i detyruar në bazë të kushtetutës dhe çdo pakti ndërkombëtarë tu ofrosh strehim dhe ushqim. Po ashtu, qeveritë që ti ke votuar kanë kontribuar në këto luftëra të njohura dhe të panjohura që zhvillohen në zona të largëta të planetit dhe tani mjerimi që shkaktuan troket dhe në derën tënde.

Ky është në vija të përgjithshme një përshkrim i atyre çka po ndodhin në qytetin tonë dhe përkatësisht në gjithë Greqinë gjatë periudhës së fundit. Në një shoqëri ku ne emigrantët jemi mësuar me histeritë masive kundër nesh, këto të fundit nuk përbëjnë ndonjë përjashtim. As intesiviteti i dhunës, as përkrahja e masave raciste nga e gjithë sfera e botës politike e as pranimi dhe tolerimi e tyre nga shoqëria në tërësi. Eksperienca e ashpër e dhjetëvjeçarit të kaluar (1994, 1998, 2004) siguroi rrjedhojën normale të zhvillimit historik. Dhe kjo është diçka që na prek ne emigrantëve, në radhë të parë, por është pronë e vendasve mbi të gjitha.

Në radhë të parë të gjithë emigrantët duhet të kuptojnë që zgjidhjet personale nuk janë jetëgjate dhe herët a vonë vullneti popullor do të zbatohet dhe mbi ne. Nuk konsiderojmë asnjë nacionalitet si të privilegjuar dhe këtë çdo njeri që e jeton mbi kurrizin e tij e kupton shumë mirë, por mendojmë se jemi akoma në garë me njëri tjetrin për të siguruar përkrahjen e pronarëve tanë. Nuk ka ndonjë dobi të themi që shqiptarët vjedhin kurse ne jemi të urtë ose që ne shqiptarët jemi punëtorë kurse të tjerët nuk punojnë. Racizmi dhe ksenofobia fillojnë nga një ndjenjë fuqie dhe pushteti që të jep elementi kryesori i diferencimit midis vendasve dhe të huajve, dokumentet ( e drejta raciale e qëndrimit në një vend). Atëherë kjo forcë do të përdoret kundër teje kurdoherë që të konsiderohet si e dobishme nga çdonjëri, akoma dhe sikur të bëhemi engjëj.

Për sa i përket vendasve mendojmë se racizmit i duhet përgjigjur me të njëjtën monedhë. Disa herë ndoshta akoma dhe me ashpër që të jepet shembulli për të tjerët që do të përbuzin jetën tona. Nuk duhet të lejojmë asnjë, me uniformë ose pa, të na marrë dinjitetin tonë dhe aq më tepër jetën tonë. Nuk kemi asgjë për të humbur përveç lëkurës tonë dhe këtë duhet ta shesim shtrenjtë.

Për sa i përket njerëzve që na mbështesin besojmë se solidaritet ndaj emigrantëve është tu ofrosh punë, strehë, dokumenta (martesa të bardha etj.) ose një buzqeshje miqësore duke mos pretenduar që të përqafojë bindjet e tua ideologjike. Solidaritet është të njohim ç’pasoja ka në jetën tonë përpjekja për sigurimin e dokumentave dhe jo njohja teorike e kushteve që krijojnë problemet tona. Solidaritet është të kuptosh mirë se të jesh shqiptarë, ose bullgarë ose pakistanez nuk është një zgjidhje personale, si të jesh nacionalist apo internacionalist, i majtë apo i djathtë, por megjithatë ka pasoja praktikisht në çdo aspekt të jetës sonë.

Asnjë nuk erdhi këtu që të bëhet subjekti yt revolucionar ideal. Po ashtu dhe lufta kundër racizmit dhe shfrytëzimit është detyrë e çdo njeriu që nuk duron dot këtë realitet në shoqërinë e tij. Është në radhë të parë një luftë për të siguruar një realitet që mund të tolerosh ti vetë. Të jesh emigrant nuk është nder, është turp njerëzit të nevojiten dokumenta shoqëruese sikur të ishin pako me mallra. Parulla jonë duhet të jetë: jemi të gjithë vendas!

Fundja fundit kjo copë tokë na nxë të gjithëve. Ata që janë të rrezikshëm për shoqërinë në tërësi janë racistët dhe fashistët, të cilët po të bëhen më shumë do të përbëjnë rrezik për koherencën shoqërore dhe për atë farë niveli demokracie që kemi këtu ku jetojmë. Atëherë fshesat dhe kampet e përqendrimit do të kenë të shkruar përsipër emrin tënd dhe shpërblimi për punën tënde nuk do të jenë 700€ por liria që ajo do të ofroj. Prandaj përgjigja e pyetjes sonë duhet të jetë mëse e qartë:

Jashtë fashizmi dhe racizmi

nga sheshet, lagjet dhe jeta jonë

Pa komente »

Ende pa komente.

Prurje RSS për komente në këtë postim. TrackBack URI

Lini një koment